Akademia e Teknologjisë dhe Sigurisë Kibernetike, One Albania përgatit gjeneratën e ardhshme të liderëve të teknologjisë

06-13-2025
1

Akademia e Teknologjisë dhe Sigurisë Kibernetike, One Albania përgatit gjeneratën e ardhshme të liderëve të teknologjisë

Një tjetër program i Akademisë së Teknologjisë dhe Sigurisë Kibernetike është mbyllur me sukses nga One Albania. 65 studentë; të cilët u trajnuan në teknologji informacioni, inovacion dhe siguri kibernetike; janë diplomuar këtë të hënë nga Akademia. Ky program, i kthyer në një traditë disavjeçare në One Albania, synon kualifikimin dhe profesionalizimin e të rinjve shqiptarë me një qasje praktike që promovon njohuritë akademike, aftësitë teknologjike dhe sjelljen etike në vendin e punës.

Zëvendës Drejtoresha Ekzekutive, njëkohësisht edhe drejtoresha e Burimeve Njerëzore në One Albania, Irida Bonati u shpreh se ky program është ideuar për të përgatitur brezin e ri me aftësitë e nevojshme për të lulëzuar në botën digjitale.

“Që nga krijimi dhe deri tani Akademia e Teknologjisë dhe Sigurisë Kibernetike ka patur prurje të jashtëzakonshme me të rinj të talentuar, disa prej të cilëve janë bërë pjesë e kompanisë sonë, me anë të punësimit. Gjatë programit studentët kanë mundësi të angazhohen dhe të bëjnë praktikë në departamente të ndryshme, si dhe të marrin mësime nga drejtues të lartë të kompanisë”, u shpreh Bonati.

2

Ceremonia e diplomimit bëri bashkë ekspertë të fushës së teknologjisë si dhe përfaqësues të arsimit të lartë, të cilët vlerësuan Akademinë si një shembull të qasjes praktike në ofrimin e dijeve bashkëkohore dhe cilësore.

“Jam i lumtur që këtë bashkëpunim e kemi bërë një traditë dhe kompani si One Albania kanë në fokus përkrahjen e studentëve, që në momentin kur ata janë në bankat e shkollës. Kjo Akademi i shërben industrisë, ne si staf akademik dhe padyshim më së shumti i vyen studentëve”, tha drejtuesi i departamentit të Elektronikës dhe Telekomunikacionit në Universitetin Politeknik, Aleksander Biberaj.

Duke fuqizuar mendjet e reja me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të pasur sukses në një të ardhme digjitale, Akademia e Teknologjisë dhe Sigurisë Kibernetike në One Albania është kthyer  në një dritare edukative që inkurajon një kulturë të të nxënit dhe zhvillimit të vazhdueshëm.

3