One Albania mbështet festivalin e Porto Palermos

07-30-2024
1

One Albania mbështet festivalin e Porto Palermos

Rikthehet për të katërtin vit eventi kulturor që bën bashkë artin dhe turizmin e qëndrueshëm

Për të katërtin vit, kalaja historike e Porto Palermos do të gjallërohet sërish nga muzika, në një festë të artit, trashëgimisë kulturore dhe turizmit të qëndrueshëm. I ideuar nga virtuosi Olen Cesar, festivali i Porto Palermos, që do të ngrejë siparin në datën 1 gusht, do të sjell zërat melodiozë dhe performancat e 12 artistëvë të mirënjohur, falë mbështetjes së One Albania.

Në Porto Palermo pritet të mblidhen emrat më në zë të muzikës bashkëkohore shqiptare, një pjesë e të cilëve tashmë janë artistë që rikthehen për të disatën herë, si Elina Duni e Eda Zari. Në festival do të jetë e pranishme edhe ylli shqiptar i muzikës klasike, Inva Mula, këngëtarë si Marsela Çibukaj, Vitmar Basha, Dren Abazi, por edhe emra nga arena ndërkombëtare si Manuela Villa, Lavinia Mancusi etj.

Në kuadrin e partneritetit strategjik me nismën e Ministrisë e Turizmit dhe Mjedisit, “Albania All Senses” One Albania është sponsori kryesor i eventit kulturor që është kthyer në një ndalesë të përvitshme të vizitorëve dhe artdashësve.

“Festivali i Porto Palermos promovon më së miri muzikën e bukur shqiptare, por edhe bashkon artistët në një kauzë të rëndësishme atë të ndërgjegjësimit të turizmit të përgjegjshëm. One Albania, si partnere zyrtare e nismës së Ministrisë së Turizmit dheMjedisit “Albania All Senses”, gjithmonë kontribuon në iniciativa të tilla që përkrahin trashëgiminë kulturore dhe turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri.”, tha Arta Mahila, drejtoreshë e departamentit të komunikimit të marketingut në One Albania.

Festivali, i vendosur në kalanë piktoreske të Porto Palermos, ofron një përzierje unike të shfaqjeve nga zhanre të ndryshme muzikore. Eventi kulturor nisi këtë të shtunë rrugëtimin përmes pastrimit të detit dhe përmirësimit të hapësirës përreth kalasë. Nxitja e zhvillimit ekonomik përmes mbështetjes së iniciativave turistike dhe kulturore mbetet një prej angazhimeve kryesore të One Albania.

2