Çelet Java e Kulturës Hungareze në Tiranë: Mozaiku i artit dhe kulturës mbështetet nga One Albania

09-03-2024
JAVA KULTURORE HUNGAREZE - FOTO KRYESORE

Java e Kulturës Hungareze do të sjellë në Shqipëri nga data 2 deri më 6 shtator më të mirën e shpirtit artistik të këtij populli. Për një javë shqiptarët do të kenë mundësi të njohin dhe përjetojnë trashëgiminë e pasur kulturore të Hungarisë përmes një programi të larmishëm eventesh, shfaqjesh dhe ekspozitash.

Festivali ngriti siparin këtë të hënë në një konferencë për shtyp të mbajtur në Piramidën e Tiranës. Për të tretin vit radhazi, Java Kulturore Hungareze mbështetet nga One Albania, pjesë e grupit hungarez, investitori më i madh hungarez në Shqipëri. CEO i One Albania, pjesë e grupit 4iG, Brano Djurovic, shprehu entuziazmin e tij për festivalin, duke theksuar rëndësinë e nxitjes së lidhjeve përmes bashkëpunimeve kulturore dhe teknologjike.

“Është kënaqësi që teksa përpiqemi të përmirësojmë peizazhin e telekomunikacionit në Shqipëri të mund të gjendemi pranë komunitetit duke mbështetur ngjarje kulturore dhe artistike, thurur nga fijet e dy kombeve që ndajnë një histori të gjatë miqësie dhe bashkëpunimi”, tha Djurovic.

Njëkohësisht me hapjen e festivalit, u çel edhe ekspozita e artistes hungareze Yvette Botz, e njohur për veprat e saj ekspresive që transformojnë në mënyrë unike xhamin në skulptura mahnitëse, e cila kishte krijuar një skulpturë të veçantë të heroit tonë kombëtar, Skënderbeu. Kjo ekspozitë ofron një përvojë vizuale që kombinon mjeshtërinë e Botz me vetitë e veçanta të qelqit.

JAVA KULTURORE HUNGAREZE (1)

Përveç ekspozitës, gjatë kësaj jave do të mbahen edhe një sërë koncertesh live, si dhe shfaqje tradicionale nga grupi folklorik “Szinvavölgyi Néptáncműhely” në sheshin Italia, që spikat për ndjenjën e ritmit, improvizimin dhe lëvizjet energjike, duke sjellë në kryeqytet një performancë që premton shumë gjallëri dhe emocion. Nuk do të mungojnë as aktivitete sportive dhe inovatore si "Chess 'n Jazz", por edhe workshop-e me artistë bashkëkohorë hungarezë dhe shqiptarë.  

Duke folur në konferencën për shtyp, zëvendësambasadori hungarez Ádám Lovassy shprehu gëzimin për nisjen e Javës Kulturore Hungareze, me një program të larmishëm, të krijuar për të dhënë një shije të artit hungarez, por edhe për të thelluar lidhjet kulturore mes dy kombeve.

“Do të doja të ftoja publikun shqiptar që sonte në mbrëmje të na bashkohet në sheshin Italia, ku një grup shumë i famshëm hungarez do të ngjitet në skenë për të performuar kërcime tipike folk, miksuar me element modernë. Dua të ftoj audiencën, po ashtu, edhe nesër në sheshin Italia sërish në orën 8:00 pasi kemi ftuar një band muzikor hungarez ku do të luhen muzikë folk, pop dhe punk. Seria e aktiviteteve tona nuk do të shtrihet vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera si Vlorë, Durrës dhe Elbasan. Jemi shumë krenar që për disa vite me rradhë shkojmë edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë. Do të kemi ekspozitë tek Piramida, në kubin blu, si dhe grupin e aktiviteteve të shahut, të kubit të Rubikut, por ekspozita me piktura dhe punime xhami.”, u shpreh zëvendësambasadori hungarez Lovassy.

Java e Kulturës Hungareze do të përmbyllet më 6 shtator me një performancë magjike kuarteti violinash në Piramidën e Tiranës.