Intervista Sabina Sherko

Sabina Sherko: Bashkëpunimi në grup, kur punon me njerëzit e duhur, rezulton gjithmonë me sukses!

Pjesë e një departamenti tepër dinamik si Financa Operacionale, Sabina Sherko na tregon se si kontabiliteti është në vetvete një proces përkthimi që kërkon saktësi dhe përkushtim.

Njihuni me Sabinën, Specialiste e Financës në ONE Albania.

Sa kohë keni që punon në ONE Albania dhe si ka qënë ecuria juaj profesionale?

Unë punoj si Specialiste Finance në departamentin e Financës Operacionale prej afërsisht dy vitesh. Si pjesë e një departamenti shumë dinamik, sfidat dhe përgjegjësitë kanë qenë të shumta, por bashkëpunimi në grup, kur punon me njerëzit e duhur, rezulton gjithmonë me sukses dhe mëson shumë. Edhe pse vetëm dy vite, eksperiencën time në One do e konsideroja shumë të vlefshme për vazhdimësinë time profesionale.

Si do ja përshkruanit punën tuaj dikujt që nuk e njeh profesionin?

Kontabiliteti është gjuha e biznesit. Kontabilisti është personi që gjuhën e shifrave e përkthen në informacion të vlefshëm, që ndihmon më pas manaxherët për të marrë vendime sa më optimale. Ashtu sikurse perkthimi në një gjuhë tjeter kërkon korrektësi dhe rrjedhshmëri, ashtu edhe një kontabilisti të mirë i duhet saktësia dhe përkushtimi për ta përcjellë informacionin në mënyrë sa më të plotë dhe të kuptueshme tek përdoruesit e tij.

Çfarë projektesh keni realizuar dhe çfarë sfidash e presin ekipin tuaj në të ardhmen?

Një projekt mjaft i rëndësishëm që shënon gjithashtu një arritje në sistemin tatimor shqiptar, është procesi i fiskalizimit. Për nga vetë madhësia e tij ky projekt ka kërkuar përfshirje të lartë të kapitalit njerëzor dhe burimeve të tjera duke na vënë përpara një sfide, por gjithashtu duke na bërë të kuptojmë se sa shumë mund të arrijë një kompani duke përfituar nga sinergjia dhe bashkëpunimi në grup..

Tri këshilla që do t’i jepnit një punonjësi të ri në One.

Nëse do të më lejohej, do ta riformuloja këtë pyetje se cilat do të ishin tri këshillat që unë do t’i jepja vetes kur iu bashkova ONE:

  1. Të qenit i hapur ndaj eksperiencave të reja, në mënyrë që të marrim më të mirën nga mundësitë që na jepen;

  2. Të qenit kreativ në dhënien e ideve të reja për përmirësimin e proceseve të punës dhe proaktiv në implementimin e këtyre ideve;

  3. Të qenit bashkëpunues dhe i gatshëm për të mbështetur çdo hallkë të procesit të punës;

Çfarë mendon që të ka bërë të dallohesh si Everyday Hero?

Nënë Tereza ka thënë “Ne nuk mund të bëjmë të gjithë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Unë mendoj se kjo shprehje personalizon më së miri të qenit një hero në jetën e përditshme.

Cila vlerë e kompanisë ju frymëzon më shumë në punë?

Vlera që më frymëzon më shumë është Profesionalizmi. Realizimi i detyrave në mënyrë profesionale është proces i rëndësishëm për mua. Të qenit profesional nuk do të thotë vetëm të përdorësh aftësitë dhe njohuritë e tua në funksion të një pune të suksesshme, por ka të bëjë edhe me komunikimin, sjelljen, dhe durimin në përditshmëri në ambjentin e punës.