Intervista Lorisa Përdoçi

Lorisa Përdoçi: One e zgjodha për mundesinë që të ofron përsa i përket kontributit në transformimin e brendshëm të sistemeve të një nga kompanive më të mëdha në vend.

Ndonëse pjesë e One për një kohë relativisht të shkurtër, Lorisa është një tregues i mirë se puna dhe përkushtimi nuk kalohen pa u vënë re. Lorisa, e prirur të shkojë përtej në çdo hap të sajin, na tregon mbi sfidat dhe përgjegjësitë e departamentit më të ri ku ajo bën pjesë.

Sa kohë ke që punon në ONE Albania dhe si ka qenë ecuria juaj profesionale?

Unë zgjodha One për vazhdimësinë e karrierës sime profesionale menjëherë pasi u riktheva nga Spanja, ku përfundova studimet. E zgjodha për mundesinë që të ofron përsa i përket kontributit në transformimin e brendshëm të sistemeve në një prej kompanive më të mëdha në vend. Këto kanë qënë ndoshta 6 muajt më intensiv të karrierës sime profesionale, kohë në të cilën kam dhënë e kam marrë akoma më shumë.

Si do ja përshkruaje punën tënde kolegëve të tjerë që nuk të njohin?

Do bëj një analogji të thjeshtë me kokrrat e kafesë. Ti s’mund të bësh kafen direkt prej tyre: do të duhet t’i bluash, më pas ta përziesh me ujë, qumësht a diçka tjetër. Po njësoj, ‘të dhënat’ janë thuajse të papërdorshme nëse nuk mblidhen fillimisht nga burimet, më pas të procesohen dhe të transformohen në mënyrë të tillë që të jenë të kuptueshme nga analistët apo siç i quajmë ne, ‘data scientists’. Kështu, pa ‘data engineering’ nuk mund të ketë analizë të të dhënave.

Me çfarë projekti po merreni këto kohë si departament dhe cilat janë sfidat dhe të mirat e zbatimit të tij?

Një ndër projektet më interesante që prek jo vetëm departamentin tim, por One në tërësi, është transformimi i B/OSS. E kam përmendur tërthorazi edhe pak më lart, por, të jesh pjesë e një projekti të tillë është një mundësi që nuk të ofrohet shpesh. Ne, si data engineers, kemi pergjegjësinë e madhe të migrimit të të dhënave nga databazat e sistemeve ekzistuese në ‘solution-in’ e ri të Intellzës(system i Business Intelligence dhe Data Warehouse). Ky është një proces delikat që kërkon shumë punë në vlerësimin e të dhënave, për të siguruar cilësinë e tyre.

Çfarë sfidash ju presin në të ardhmen si ekip pune? 

Ne jemi një departament i ri, dhe si i tillë na presin shumë sfida dhe projekte interesante. Një projekt i cili ka pasur impakt në aktivitetet vendim-marrëse ka qënë krijimi i business areas të ndryshme në Data Warehouse ekzistues. Një tjetër element që e kam shumë përzemër është automatizimi i proceseve tona të brendshme si ekip, që na ka ndihmuar të shkurtojmë kohën e përgatitjes së raporteve për business users. Megjithatë, e ardhmja i përket Intellzës, sistemeve që vijnë në kuadër të transformimit B/OSS, me përdorimin e teknologjive më të reja big data Hadoop.

Çfarë vlere e kompanisë do të të karakterizonte më shumë?

Përtej. Kjo është një vlerë që jam përpjekur t’ja ushqej vetes vazhdimisht, madje dhe para se të punoja në One. Më pëlqen të shoh përtej, dhe sidomos të tejkaloj kufinjtë e mi.

Çfarë mendon që të ka bërë të dallohesh si Everyday Hero?

Asgjë më shumë sesa thjesht të duash punën që bën. Kushdo që ka fatin, guximin ose kurajon, të heqë dorë nga çdo kompromis për të bërë atë që pëlqen në jetë, është një hero.

Cili është motivimi më i madh për ty në punë?

Të shoh që puna ime ka pasur sadopak efekt në zhvillimin e diçkaje më të madhe. Të jesh pjesë e industrisë së telekomunikacionit do të thotë të punosh për përmirësimin e cilësisë së jetës së njerëzve të vendit tënd, t’u mundësosh atyre komunikim më të mirë, më të sigurt me të afërmit e tyre, kudo në botë.