Gentjan Koci

Gentian Koçi: Pështatja me ndryshimin nuk mund te realizohet pa mirëkuptimin, frymën e bashkëpunimit dhe tolerancës

Me një përvojë pune prej 17 vitesh, Gentiani na tregon sfidat e përditshme të një inxhinieri rrjeti ne One Albania. Për më shumë lexoni intervistën:

 

1.Sa kohë keni që punoni në One Albania dhe si ka qenë ecuria juaj profesionale?

Une kam një eksperiencë pune shtatëmbëdhjetë vjeçare si Core Network Engineer. Përgjithësisht ecuria e punës ka qenë e kënaqshme por e shoqëruar me disa vështirësi prej faktit që pata një shkëputje gati pesëvjecare në ushtrimin e këtij profesioni.

 

2.Si do ja përshkruanit punën tuaj dikujt që nuk e njeh profesionin?

Veprimtaria e përditshme e punës së një Core Network Engineer lidhet me ekzekutimin e një sërë procedurash monitorimi, mirëmbajtjeje dhe konfigurimesh të aplikuara në elementët qendrore të rrjetit, të cilat bëjnë të mundur garantimin e shërbimeve telefonike nëpërmjet linjave fikse, si dhe ndërlidhjen në nivel tranzit me operatorë dhe rrjete të tjera telekomunikacioni.

 

3.Çfarë projektesh keni realizuar dhe çfarë sfidash e presin ekipin tuaj në të ardhmen?

Projekti kryesor që pothuajse ka përfunduar, ka qenë transferimi i lidhjeve ndërkombëtare të interkoneksionit nga sistemi ekzistues në një platformë teknologjikisht më të avancuar. Sfida kryesore që të përballemi në të ardhmen e afërt është transferimi i abonentëve të telefonisë fikse nga rrjeti ekzistues në një sistem tjetër, po aq modern dhe të sofistikuar, procedurat për lëvrimin dhe implementimin e të cilit kanë nisur.

 

4.Tri këshilla që do t’i jepnit një punonjësi të ri në One.

a. Të vlerësojë mundësinë që i është dhënë për të punuar në një mjedis pune ku do të ketë kontakt me teknologji të ndryshme dhe një shumëllojshmëri procedurash teknike prej nga mund të përfitojë eksperienca të vlefshme.

b. Të përpiqet vazhdimisht për rritjen e nivelit profesional nëpërmjet trajnimeve, përgatitjes teorike dhe vetëzhvillimit praktik.

c. Të synojë që kontributi në kompani të jetë i shtrirë në kohë, duke e konsideruar punën e tij si një investim të qëndrueshëm dhe afatgjatë, i cili do të shpërblehet patjetër.

 

5.Çfarë mendon që të ka bërë të dallohesh si Everyday Hero?

Besoj fakti që mora përsipër ta kryej këtë detyrë në një etapë kritike dhe të rëndësishme që përkon me transformimin e rrjetit në përgjithësi dhe Core Network-ut në veçanti, proces të cilin shpresojmë ta finalizojmë me sukses!

 

6.Cila vlerë e kompanisë ju frymëzon më shumë në punë?

Pozitiviteti në kuptimin e klimës mbizotëruese në komunikimin e brendshëm dhe marrëdhëniet e punës. Mendoj se kompania ndodhet në fazë tranzicioni për shkak të procesit të bashkimit dhe transformimit teknologjik. Në këto kushte prej secilit kërkohen përpjekje dhe aftësi shtesë për t’u përshtatur me ndryshimin. Por kjo nuk mund të realizohet pa mirëkuptimin, frymën e bashkëpunimit dhe tolerancës, vlera këto, ekzistencën e të cilave brenda kompanisë e kam konstatuar me kënaqësi.

 

7.Përshkruajeni eksperiencën tuaj në One me një titull libri/filmi/kënge/etj

Filmi “Cast Away” i vitit 2000.Gjej një lloj frymëzimi aty, pasi filmi është një sintezë e përpjekjeve për  arritjen e qëllimit duke u mbështetur tek vendosmëria dhe fokusimi, po aq sa tek përsosja e aftësive për t’u përballur me rrethanat që dalin kundër.