Intervista Alban Duka

Alban Duka: “Aftësia për të menduar pozitivisht është përbërësi kryesor i rrugëtimit tim të deritanishëm te ONE.”

Me një eksperiencë relativisht të shkurtër në One, Albani beson se për punonjësit e rinj është e rëndësishme të ndërtojnë marrëdhënie pozitive dhe efektive me kolegët në mënyrë që të arrijnë rezultatet e dëshiruara.

Sa kohë ke që punon në ONE Albania dhe si ka qënë ecuria juaj profesionale?

Unë punoj si Data Scientist prej një viti e pak tashmë te Departamenti i Modelimit dhe Analizës së të Dhënave pranë Divizionit Komercial. Puna konsiston në përpunimin e të dhënave analitike big data, analizën e sjelljes së klientëve, ndërtimin e strategjisë të fushatave CVM si dhe prodhimin e raporteve të avancuara analitike për matjen e performancës komerciale të kompanisë.

Si do ja përshkruanit punën tuaj dikujt që nuk e njeh profesionin?

E thënë në fjalë të thjeshta puna ime konsiston në përdorimin dhe modelimin e të dhënave analitike që sistemet e kompanisë gjenerojnë gjatë një dite normale biznesi për të kuptuar sjelljen e klientëve dhe për të identifikuar trende që do të mundësonin rritjen e të ardhurave për kompaninë.

Çfarë projektesh keni realizuar dhe çfarë sfidash e presin ekipin tuaj në të ardhmen?

Projekti më i madh në të cilin jam angazhuar gjatë kohës time te One ka qenë procesi i segmentimit të bazës se abonentëve prepaid nëpërmjet metodave ekonometrike dhe rregullave të biznesit që i klasifikon dhe vendos klientët tanë të prepaid në grupe të ngjashme për sa i përket indikatorëve të performancës si ARPU, koha që abonenti ka si klient i ONE, historikut të blerjeve të paketave etj. Ky segmentim ka bërë të mundur ndërtimin e fushatave CVM me anë të së cilave kompania mikrotargeton abonentët prepaid me oferta të personalizuara që aktivizohen ne EPOS. Këto fushata kanë si qëllim kryesor ruajtjen e bazës së klientëve prepaid dhe rritjen e të ardhurave për kompaninë.

Tri këshilla që do t’i jepnit një punonjësi të ri në One.

  1. Të ndërtojë një marrëdhënie pozitive dhe korrekte me kolegët e tij të departamentit, sepse në fund të ditës është puna efektive në ekip që do prodhojë rezultatet e dëshiruara për kompaninë.
  2. Të jetë gjithmonë i hapur ndaj sfidave të reja dhe të jetë i gatshëm të dalë nga zona e tij e komfortit.
  3. Të jetë në gjendje të prioritizojë detyrat e tij në varësi të kërkesave nga drejtuesit dhe objektivave të departamentit.

Çfarë mendon që të ka bërë të dallohesh si Everyday Hero?

Besoj që ka qenë përkushtimi në punë si dhe përballimi me sukses i sfidave që kanë dalë gjatë punës së përditshme.

Cila vlerë e kompanisë ju frymëzon më shumë në punë?

Vlera që më frymëzon më shumë është të qenit relevant. Departamenti ku unë punoj e mishëron më së miri këtë vlerë sepse është në perpjekje të vazhdueshme për të përmbushur nevojat e klientëve tanë dhe optimizimin e ofertave për secilin prej tyre në bazë te nevojave dhe sjelljes së tyre të mëparshme.

Përshkruajeni eksperiencën tuaj në One me një titull libri.

Besoj se libri “Mindset: The New Psychology of Success” i Carol Dweck përshkruan më së miri eksperiencën time te ONE. Në të njëjtën linjë me mesazhin kryesor të librit, besoj se aftësia për të menduar pozitivisht, sado sfiduese të kenë qenë situata të caktuara ka shërbyer ndoshta si përbërësi kryesor i rrugëtimit tim të deritanishëm në ONE.